Televizioni Report TV në bashkëpunim me Institutin Italian GPF Inspiring Research, solli rezultatet e sondazhit e tretë mbi situatën politike në vend dhe pritshmërinë për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Rezultatet u prezantuan në emisionin "Repolitix" në Report Tv të gazetarit Denis Minga, ku i ftuar special ishte Roberto Baldassari, ish president i Institutit Piepoli dhe aktualisht President i GPF Inspiring Research. Figura e njohur për publikun shqiptar pasi në 2013 dhe 2017 Roberto Baldassarri parashikoi rezultate të sakta të zgjedhjeve politike në Shqipëri.
Mbi 6 mijë persona janë intervistuar, ndërkohë që 1204 prej të intervistuarve kanë dhënë përgjigje të plota për të gjitha pyetjet e sondazhit.
72 % e shqiptarëve kundër protestave të dhunshme të opozitës: Ndërkombëtarët të ndërhyjnë!
Rreth 72 % e shqiptarëve (71.8%) mendojnë se sjellja e manifestuesve gjatë protestave të opozitës ka qenë e dhunshme. Vetëm 20.1 % e tyre mendojnë se demonstruesit kanë qenë paqësore, ndërsa 8.1 % e të intervistuarve nga GPR Inspiring Research janë përgjigjur 'nuk e di'.
60.2 % e shqiptarëve të intervistuar, mendojnë se sjellja e policisë gjatë protestave ka qenë korrekte.
75.1 % e të intervistuarve nuk mbështesin strategjinë e re të opozitës joparlamentare për bllokimin e rrugëve si formë e mosbindjes civile, ndërsa 69.4 % e tyre mendojnë se protestat e opozitës jokuvendore nuk duhet të vazhdojnë.
39.5 % e tyre do të bënin fajtore protestat e opozitës nëse vendit tonë nuk i hapen negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, vetëm 31.8 % bëjnë përgjegjës të dyja njëherazi, edhe qeverinë edhe opozitën; 19.5 e shohin fajin tek qeveria shqiptare, ndërsa 9.2 % e adresojnë fajësinë tek situata e brendshme politike në Bashkimin Evropian.
Në mesin e kësaj krize politike, rreth 40 % (39.6%) e të intervistuarve mendojnë se për zgjidhjen e ngërçit duhet të ndërhyjnë ndërkombëtarët. 30.8 % e shqiptarëve të pyetur mendojnë se duhet të vazhdojë normalisht, me Partinë Demokratike dhe LSI-në jashtë institucione dhe mospjesëmarrje në zgjedhje. 25.1 % mendojnë se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të pranojë zgjedhje të parakohshme. Edi Rama të qëndrojë kryeministër, por të krijojë një qeveri teknike me opozitën për tu përgatitur për zgjedhje të parakohshme, mendojnë 4.5 % e personave që janë bërë pjesë e sondazhit.