Në të njëjtën linjë me kryeministrin Edi Rama, ka qenë edhe presidenti Ilir Meta, sa i përket krizës politike në Shqipëri. Nga Skrapari, Meta është shprehur se situata politike në Shqipëri po dëmton ekonominë e vendit, ku dhe u ka bërë thirrje palëve të reflektojnë urgjentisht. Në fjalët përshëndetëse nga qyteti i lindjes, Meta theksoi se duhet t'i jepet fund kësaj situate, pasi pasojat e saj kanë filluar të ndihen ndjeshëm në turizëm dhe ekonomi.
"Me urimin për një sezon të mbarë e të suksesshëm turistik, jam i bindur se Skrapari, falë atraksioneve të jashtëzakonshme që ofron, mikpritjen, traditat e kulinarinë e veçantë, shumë shpejt do të jetë një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në të gjithë rajonin!
Por për fat të keq, kriza politike ku ndodhet vendi, po sjell pasoja tepër të rënda edhe në ekonomi. Efektet e para kanë filluar të ndihen në turizëm dhe operatorët e cilësojnë situatën dramatike. Edhe për këtë arsye ia vlen të reflektohet urgjentisht, përndryshe do të goditet rëndë turizmi dhe gjithë familjet shqiptare që mbështesin mirëqenien e tyre në këtë sektor kyç të ekonomisë tonë", tha Meta.
Një ditë më parë, kreministri Edi Rama është shprehur i gatshëm për t'u ulur në tryezë dialogu me kryedemokratin Lulzim Basha. Ai ka theksuar se nuk është e nevojshme për ndërhyrjen e ndërkombëtare, si dhe e ka bërë të qartë që 30 qershori është i panegociueshëm. Ndërkohë, edhe Basha është shprehur dakord për dialog për të cilin ka vendosur dy kushte: dialogu të bëhet nga një palë e tretë, në këtë rast ndërkombëtarët dhe pa Ramën kryeministër.
Sot, pas një mbledhjeje mes Bashës dhe aleatëve të tij në selinë blu, është rënë dakord që opozita të vazhdojë me protestat.