Vijon dhuna në futbollin shqiptar. Këtë javë incidentet nuk kanë ndodhur në Kategorinë Superiore, por të dytën, në ndeshjen mes Butrintit dhe Tepelenës të zhvilluar në Sarandë.
Butrinti arriti që të fitonte ndeshjen e vlefshme për grupin B të Kategorisë së dytë, e cila u ndërpre për disa minuta në fund.
Shkak për incidentin u bë një përplasje në fushë mes lojtarëve, që më pas degjeneroi në dhunë fizike, ndërsa u desh ndërhyrja e forcave të rendit që situata të qetësohej.
Vendasit e mbyllën takimin me 10 lojtarë, pasi Mucaj u ndëshkua me karton të kuq, për goditje të kundërshtarit.
Tensione ka pasur edhe në ndeshjen Përmeti-Gramozi e cila përfundoi 3-1, ndërsa dy ekipet e kanë mbyllur ndeshjen me nga 9 lojtarë pasi kanë marrë nga dy kartonë të kuq.