DIBËR-Ura e Njësisë Administrative Zerqan që lidh 5000 banorë saj me rrugën nacionale Bulqizë ? Peshkopi është plotësisht e amortizuar.
Megjithëse ky problem është trajtuar disa herë, pas një aksidenti tragjik të tre viteve më parë, kur një automjet tip kamionçinë doli nga ura e ra në Zallë, e për pasojë humbën jetën 2 të rinj dhe u plagos rëndë një tjetër, ende nuk është marrë asnjë masë për rehabilitimin e saj.
Banorët e Zerqanit shprehen se nëse nuk do të ndërhyhet për rritjen e sigurisë në këtë urë, atëherë më mirë është që ura të shembet e gjitha se sa të rrezikohen jetë të tjera njerëzish, pasi rreziku është evident në çdo kohë.
"Problem i madh është, futet furgoni del s'del. Kanë ardhur e kanë parë me ushtri e të gjitha e pamundur. Ia kanë hequr dhe anësoret të cilat ishin për mos rënë poshtë. I kanë marrë për t?i shitur hekurat, duhet të merren masat po kush do t?i marrë? Dorë nuk ka vënë askush", u shpreh një banor.
Ndërkaq, banorët thonë se ka pasur edhe raste kur mjetet janë rrëzuar nga ura, por për fat të mirë ka pasur vetëm të plagosur.
"Vijnë fushatat e ikin dhe asnjë gjë. Kanë humbur jetën 2 persona dhe të tjerë kanë rënë, por fatmirësisht pa pasoja. Kjo është urë shumë e rrezikshme, është urë kryesore e cila lidh 5-6 fshatra", tha një shofer.
Ura është tërësisht e rrënuar, jashtë çdo standardi, pasi ajo është harkuar si pasojë e lëvizjes së këmbëve të saj, duke rrezikuar jetën e qindra banorëve.