Partia Demokratike, LSI dhe partitë e tjera opozitare do të zhvillojë sot në orën 18:00 protestën e radhës, e cila nuk do të jetë përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit si në nëntë tubimet e tjera, por në akset kryesore që lidhin Jugun dhe Veriun e vendit me kryeqytetin për të paralizuar qarkullimin. Kryetari i PD, Lulzim Basha në orën 18:00 do të jetë në Milot ku së bashku me opozitarët e tjerë do të bllokojnë rrugën.
Ndërkohë që dy orë përpara protestës, sot në 16:00 krerët e LZHK, PAA, PBDNJ, PDK, PR, aleatë të PD dhe LSI do të zhvillojnë një takim me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca.
Kjo formë protesta vjen pas vendimeve të PD-LSI për të përshkallëzuar aksionin politik, për të detyruar mazhorancën të pranojë kushtin për largimin e kryeministrit Edi Rama. Në Elbasan, te rrethrrotullimi i Bradasheshit do të bllokohet aksi që lidh Juglindjen me Tiranën, zona e Jugut do të bllokohet në rrethrrotullimin e Sheqit të Fierit.
Protestuesit nga Veriu i vendit do të grumbullohen në Milot. Një tjetër pikë do të jetë ajo te Shkëmbi i Kavajës dhe kryesorja te sheshi 'Shqiponja' për të bllokuar hyrjen në Tiranë. Për të diskutuar mbi detajet e protestës, Monika Kryemadhi zhvilloi dje një takim me kryetarët e degëve të LSI-së në rrethe. Ky është një skenar i përsëritur nga opozita, pasi edhe më parë ka bllokuar rrugët, ndërsa në 11 maj do të jetë protesta kombëtare para Kryeministrisë.
Vitin e kaluar, po në këto arterie kryesore të vendit opozita bllokoi rrugët disa herë si shenjë e mosbindjes civile. Edhe tani, një vit më pas, opozita vijon që të kërkojë largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. PD dhe LSI kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve lokale, ndërsa nuk u regjistruan në KQZ.