Tirana do të jetë qyteti i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që do të ofrojë një mjedis online miqësor për fëmijët dhe familjet. Bashkia e Tiranës, UNICEF dhe Albtelecom prezantuan dje nismën ?Friendly Wi-Fi?, pranë Liqenit Artificial të Tiranës, një shërbim i certifikuar, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili mundëson që përmbajtja online të filtrohet nga materialet e paligjshme dhe pornografia.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se falë këtij projekti qytetarët, por sidomos fëmijët, mund të lundrojnë të sigurt në internet, duke qenë pranë natyrës.
?Lajmi i mirë është se kushdo që ka një celular, në vend që të qëndrojë në shtëpi, i zhytur në kolltuk apo në divan, mund të vijë dhe të lundrojë falas në internet tek liqeni. Me Albtelecom-in ky është projekti ynë i 40-të, po është i dyti i këtij lloji, pas sheshit ?Skënderbej?, ku kemi hapësira që ofrojmë internet falas në natyrë?, tha ai.
Duke vënë theksin tek nevoja për të ndalur gjuhën e urrejtjes dhe të bullizmit edhe në platformat online, kryebashkiaku theksoi domosdoshmërinë për të pasur internet të sigurt dhe miqësor.
?I përdorur mirë mund të na sjellë dobi të jashtëzakonshme. Ajo që bëjmë ndryshe sot, në bashkëpunim me UNICEF-in dhe Albtelecom-in, është që këtë mjet ta përdorim vetëm për qëllime të mira. Interneti falas që do të përdoret në të gjithë këtë pedonale, buzë Liqenit, por edhe tek sheshi ?Skënderbej?, është i filtruar me një soft ?internet friendly?, i cili mund të përdoret vetëm për mirë dhe për mënyra të dobishme?, deklaroi ai.
Ky shërbim do të shtrihet edhe në hapësira të tjera të kryeqytetit ku çdo kush mund të lundrojë lirisht dhe në mënyrë të sigurt në internet.
?Mezi pres që këtë nismë ta shpërndajmë edhe në hapësira të tjera, nëpër shkolla, konvikte, apo edhe në hapësira të tjera si Pazari i Ri. Edhe te Liqeni i Farkës duam të bëjmë të njëjtën gjë, ta konsiderojmë hapësirën e internetit me të njëjtat kritere e standarde, por edhe me të njëjtin kujdes e dashuri, siç kemi hapësirat familjare apo hapësirat tona shkollore?, nënvizoi Veliaj.