Bankat kanë shtrënguar kushtet e miratimit të kredisë për bizneset e mëdha. Një vrojtim i bankës qëndrore i zhvilluar në të gjithë sistemin bankar vendas, ka zbuluar se besimi i bankave tregtare te aftësia paguese e kompanive të mëdha është pakësuar, duke vështirësuar procesin e miratimit të një huaje për të dy llojet e kërkesave të ardhura: si për investime ashtu edhe për çështje likuiditeti.
Edhe për kreditë e miratuara në këtë kohë, bankat kanë rritur marzhin e fitimit për shkak të rritjes së riskut, si dhe kanë shtuar kërkesën për kolateral.
Por e kundërta ka ndodhur me zinxhirin tjetër, atë të bizneseve të vogla dhe të mesme. Edhe pse kushtet për miratimin e kredisë u përmirësuan me ritme të lehta për periudhën e parë të vitit, këto lloj sipërmarrjesh ulën ndjeshëm kërkesën për të marrë kredi, sidomos në kahun e investimeve.
Bankat mendojnë se shkak për tkurrjen e kërkesës është bërë rënia e besimit të biznesit dhe perceptimi i tyre për një prespektivë të dobët të ekonomisë.
Në fund të 2018-s kredia për ekonominë ra me 180 milionë Dollarë, ku vetëm ajo në monedhën vendase u tkurr me 43 milionë Dollarë.
Tv Klan