E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses-Ones i ka bërë apel aktorëve politikë shqiptarë të bëhen bashkë, të ulen të gjejnë gjuhën e dialogut, dhe të finalizojnë reformën zgjedhore. E përlotur, duke kujtuar një histori personale mjaft të dhimbshme, atë të vdekjes së nënës së saj nga kanceri, Leyla Moses-Ones, kërkoi që politika të bashkohet në të mirë të interesit publik.
"Diplomatët janë gjithashtu qenie njerëzore. Dhe unë do të doja të ndaja diçka thellësisht personale. 12 vjet më parë në këtë muaj humba nënën time për shkak të kancerit. Ne e dimë se diagnoza e kancerit është tragjike dhe zemërthyese për familjet, për pasojë asnjë punëdhënës nuk duhet të ndëshkojë gratë që luftojnë më ketë sëmundje të tmerrshme.
Studimi i bërë publik sot tregon edhe mundësi për drejtuesit e Shqipërisë që të punojnë bashkë për të përmirësuar situatën për gratë në Shqipëri, veçanërisht atyre me kancer gjiri. Shpresoj që kjo do të jetë një fushë e përbashkët ku ju drejtuesit politikë të Shqipërisë të mund të mblidheni së bashku, të bashkoheni për ta çuar vendin përpara. Kur ju të lini mënjanë dallimet tuaja dhe të bashkoheni në të mirë të publikut, do ta drejtoni këtë vend me frymëzim, ju gratë e Shqipërisë mund të jepini shembuj për vajzat e reja, udhëheqësit e ardhshëm të këtij vendi, dhe gjithashtu për kolegët tuaj meshkuj. Kështu që koha është tani dhe mundësia është këtu, udhëheqësit shqiptarë duhet të punojnë bashkë për të dhënë shembull të shkëlqyeshëm për qytetarët tuaj, zhvillim ekonomik, paqe dhe siguri, dhe ndoshta edhe reformën zgjedhore. Të gjitha këto janë të mundura me drejtues të mirë në krye, me një bashkim përpjekjesh", tha kryediplomatja amerikane në një mëngjes pune mbi "Gratë në Politikë", ku ishin të pranishëm edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, deputetë dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastrliu.