Shenja të dukshme boje, të zezë, blu dhe të kuqe, mbetën në godinën e kryeministrisë, dhe autorë kishin protestuesit e opozitës, dje në tubimin e nëntë antiqeveritar. Këtë mëngjes, në kryeministri ka nisur puna për pastrimin e shenjave të bojës. Vetë kreu i qeverisë Edi Rama, e ka komentuar këtë moment me një postim në rrjetet sociale, teksa nuk ka lënë pas ironinë për opozitën, që me veprimet e saj, që ai i quan "klithma", del edhe më në pah fitorja e mazhorancës.
"Ata prish e ne ndreq, ata ndot e ne pastro, ata klith e ne fito", shkruan Rama.Historia e bojës, si mjet proteste i opozitës, nisi me një sulm ndaj kryeministrit Edi Rama në Kuvend, teksa u qëllua me bojë nga ish-deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka. E këtu duket se u hap edhe "loja" e bojrave. Më tej në protestën e 28 marsit, opozita sulmoi me bojë të zezë fasadën e Ministrisë së Brendshme. Nga parlamenti, kryeministri Edi Rama në fjalën e tij, komentoi me ironi duke i quajtur jo-artistik dhe në mënyrën e protestimit, sepse sipas tij boja spërkatëse ishte vetëm në ngjyrën e zezë.
Ndërsa këtë radhë, në tubimin e fundit të pasdites së 13 prillit që u mbyll në orën 22:00 të mbrëmjes, simpatizantët e PD-së, qëlluan me bojë ndaj kryeministrisë. E vetmja gjë ndryshe, është se protestuesit duket të kenë dëgjuar "këshillën" artistike të kryeministrit Edi Rama, për të mos hedhur vetëm bojë të zezë.