Report TV - Samiti i Dubrovnikut/ Rama takim me Tsipras për kufirin detar

Report TV 2019-05-27

Views 1

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim sot me homologun e tij grek, Tsipras në Dubrovnik, teksa ndodhen në Samitin e 8-të të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore, Juglindore dhe Republikës Popullore të Kinës. Përmbyllja e negociatave për kufirin detar, por edhe cështje të tjera pritet që të jenë temat e takimit mes dy kryeministrave.

Pak ditë më parë, sipas medieve greke dy kryeministrat zhvilluan një bisedë telefonike, në fokus të së cilës kanë qenë shqetësimit e minoritetit grek në jug të vendit. Ndërkohë që axhendën e takimeve kreu i qeverisë shqiptare e nisi me kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës Li Keqiang.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Rama i kërkoi homologut të tij përshpejtimin e procedurave që do të lejonin hyrjen e disa produkteve ushqimore në tregun kinez. Nga ana tjetër, Kryeministri Rama duke iu referuar 70 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, i kërkoi Kryeministrit Li edhe heqjen e ndërsjellët të vizave mes dy vendeve, çka do të nxiste jo vetëm rritjen e numrit të turistëve kineze në Shqipëri, por edhe rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Nga ana e tij, Kryeministri Li Keqiang konfirmoi heqjen e çdo barriere për importin e verës, mjaltit dhe vajit të ullirit shqiptar. Gjithashtu, kreu i qeverise kineze premtoi ndërmarrjen e hapave të nevojshme për heqjen e vizave si dhe njohjen e ndërsjellët të diplomave universitare.

Share This Video


Download

  
Report form