Një letër që Ambasada Britanike në Kosovë ua ka dërguar qytetarëve të saj që të shmangin udhëtimet në veri të Kosovës ka shtyrë që të reagojnë krerët e shtetit serb.
Presidenti serb ka thënë se ka frikë nga situata në Kosovë, për të cilën sipas tij flitet çdo ditë dhe se nuk ka zgjidhje për problemin e Kosovës, ndërsa Ministri i Jashtëm Daçiç për këtë ka akuzuar qeverinë e Kosovës.
Por menjëherë ka reaguar Ambasada Britanike në Kosovë.
Përmes një statusi në Facebook, ajo ka sqaruar se prej disa vitesh ka këshilluar të shmangen udhëtimet në komunat veriore, përpos atyre të domosdoshme, për shkak të një numri incidentesh të dhunshme të kohëve të fundit të lidhura me krimin e organizuar në veri të Kosovës.
Ndërsa ka mohuar raportimet e ndryshme në media se Britania e Madhe ka këshilluar qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në Kosovë.
Për nënkryetarin e Komisionit Parlamentar për Siguri, Rexhep Selimi situata në veri asnjëherë nuk është e sigurt për qytetarët e tjerë, po për serbët qofshin ata të Kosovës apo Serbisë.
Qeveria e Kosovës nuk ka dashur të komentojë lidhur me këtë çështje duke thënë se është prononcuar Ambasada Britanike. Ndërsa Policia e Kosovës, në një përgjigje për Tv Klan ka thënë se situata është e qetë dhe stabile në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun.
Tv Klan