Arjan Bejtja, shef i Regjimit të Brendshëm në burgun e Shënkollit në Lezhë, u nda nga jeta tre ditë më parë në një aksident rrugor. AI ndërroi jetë në autostradën Lezhë-Laç ku u përplas me dy automjete të tjera, pranë fshatit Spiten. Tre ditë më pas nga ky aksident tragjik, Report Televizion mëson se shefi Bejtja, kishte marrë një telefonatë urgjente nga burgu i Shënkollit. Gjashtë punonjës të policisë të burgut kishin tentuar të fusnin drogë për të dënuarit. Me shpejtësi është nisur në orët e mbrëmjes për të mbërritur drejt Shënkollit, por udhëtimi i tij është ndëprerë në mes. Nxitimi për të mbërritur sa më shpejt në burg ku punonjësit thuhej se ishin përfshirë në një shkelje të rëndë, i mori jetën babait të dy fëmijëve.
Tre ditë më pas, Report Tv zbulon se rasti i abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të burgut, është zbuluar dy ditë më parë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, ndërsa emrat e punonjësve të pezulluar nga detyra ende nuk bëhen të ditur.