Protesta e opozitës e kësaj të shtune, njësoj si ajo e një muaji më parë nisi si paqësore, por në pak kohë degjeneroi serish në dhunë. Në nisje të saj, vetë kryetari i opozitës dha sinjale që do të ishte një marshim që simbolizonte rrethimin e zyrës së Kryeministrit dhe nuk do të prekej kordoni i vendosur përpara godinës qeveritare.
Por pasi marshuar për 3 herë radhazi në të njëjtin sens rreth Kryeministrisë, protestuesit të drejtuar nga Lulzim Basha u nisën drejt parlamentit, ku nisi edhe përplasja me policinë.
Protestuesit çanë kordonin e policisë dhe i sulmuan uniformat blu me gurë e sende të forta, ndërsa forcat e rendit iu kundërpërgjigjen me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Dy ishin vatrat e përplasjes, ajo në hyrje të Kuvendit dhe një tjetër në anën e pedonales. Edhe aty, forcat e rendit përdorën ujin me presion dhe gazin lotsjellës.
Pas dështimit të përpjekjes për t?u futur brenda parlamentit, protestuesit e drejtuar nga Lulzim Basha u mblodhën në selinë e Partisë Demokratike ku Basha dha mesazh falenderues qytetarëve pjesëmarrës, por dhe ndërkombëtarëve, që kanë apeluar për të shmangur çdo akt dhune.
Edhe pse zgjati më pak se protesta e 16 Shkurtit, fundi i saj ishte i njëjtë, me himnin e flamurit të kënduar nga Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij.
Tv Klan