Gjatë konferencës të përbashkët me homologun e tij maqedonas Zoran Zaev, kryeministri Rama tha se është rritur ndjeshëm tregtia mes dy vendeve, ndërsa theksoi se shtrirja e rrugës së Arbërit në segmentit Bllac-Shkup është nevojë strategjike.
"Janë shumë gjëra që mund të bëjmë bashkë. Shikojmë një rritje të ndjeshme të volumit tregtar mes dy vendeve. 11% në vitin e kaluar është shumë pak në krahasim me mundësitë tona, me potecialin por është shumë krahasuar me më parë. Ashtu sikundër një sërë veprash në infrastrukturë na bashkojnë në interes të përbashkët. Ne jemi në kantier në rrugën e Arbrit dhe shtrirja në segmentit Bllac-Shkup është një nevojë strategjike dhe sigurisht sipas mundësive dhe planeve të qeverisë suaj do hyjë në proces në momentin e duhur që kam besim do jetë jo i largët", u shpreh kryeministri.
Ai u shpreh herët a vonë qytetarët do hyjnë dhe dalin në kufijtë e Maqedonisë dhe Shqipërisë pa asnjë pengesë.
"Modeli Shengen duhet të shtrihet në të gjithë rajonin me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi me bindjen se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në këtë proces. Kufijtë e vendet tona duhet të jenë po aq fluidë saç janë kufijtë në Bashkimin Europian. Nëse këtë gjë do të duhet ta bëjmë me anëtarët e BE, askush nuk na pengon ta bëjmë mes nesh sot, jo nesër. Herët a vonë do iu japim mundësinë qytetarëve të hyjnë dhe dalin në të dyja shtetet pa asnjë pengesë, kontroll, pa asnjë problem ashtu siç hyjnë dhe dalin në vendet e tyre qytetarët e BE", tha Rama.