'Petro Nini'/ Rama: E njoh dosjen, por qeveria s'bën dot gjykatësin, policia ishte si trup pa kokë

Report TV 2019-03-15

Views 0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për konfliktin te 'Petro Nini' që ditën e djeshme arriti deri në përplasje mes përmbaruesve dhe anëtarëve të familjeve që jetojnë në atë godinë. Rama u shpreh se dosjen e njeh mjaft mirë në detaje, pasi është kontaktuar nga familjet që banojnë aty, por shtoi se qeveria nuk zhbën dot vendimet e gjykatave. Maksimumi që mund të bëjë qeveri, tha kryeministri, është që të çlirojë sistemin e drejtësisë nga korrupsioni.

"Unë do të them cfarë di unë, pasi jam informuar në detaje, që edhe për mua dje ishte irrituese. Jam kontaktuar nga banorët kohë më parë dhe e kam marrë informacionin se janë në konflikt me palën tjetër që ka fituar me gjyq. Të zotët aktuale e kanë humbur me vendim gjykate të formës së prerë, ndërsa trashëgimtarët kanë fituar. A është i drejtë vendimi i gjykatës?

Na pëlqejnë, nuk na pëlqejnë, në sistemin që kemi zgjedhur nuk ka qeveri që i zhbën. Qeveria mund ta reformojë sistemin dhe ta çlirojë nga korrupsioni dhe ta bëjë të denjë. Ky çlirim nuk është fjalë goje, kërkon mund, durim, kohë, por ajo që qeveria nuk mund të bëjë, është që të bëjë gjykatësin. I drejtë apo i padrejtë këtë nuk e dimë dhe vendosim në diskutim" tha Rama.

Më pas kryeministri u ndal te roli i policisë dhe shkarkimi i drejtorit të Policisë së Tiranës, që e cilësoi të drejtë dhe mësim. "Me ligj vendimet ekzekutohen nga përmbarimi, kur kërkon mbështetjen e policisë, policia është e detyruar që ta mbështesë. Duke shkuar në mbështetje të përmbarimit, policia zbatoi ligjin, por edhe pse prania ishte kërkesë e ligjit, sjellja e saj nuk ishte dinjitoze, trupa ishte nisur pa përgatitje, ku u krijuan vetëm skena të panevojshme, me njerëzit që shtriheshin në rrugë dhe policia nuk dinte se cfarë bënte, rrinin e lëviznin si një trup pa kokë, që krijonte veç acarim.

Ishte një mësim i mirë për policinë, reagim dinjitoz i ministrit, që mbajti anën e opinionit të qytetarëve. Policia duhet të jetë me mendje dhe zemër. Lirimi i drejtuesit të Tiranës ishte mesazh se të jesh në rregull me ligjin nuk mjafton, pasi duhet dicka më shumë".

Rama fajësoi edhe një pjesë të mediave për atë që ndodhi dje. "Por ana e errët ka të bëjë me kanalet dhe portalet që e kthyen përmbys të vërtetën. Aty nuk është dhënë leje për pallat dhe IMT nuk ishte aty. Bashkia u ka ofruar banesë sociale familjes, e cila madje ka ndërtuar një shtesë pa leje, që kërkon legalizim. Kjo për të kujtuar se cfarë kanë bërë me pronat ata që na kanë qeverisur" tha Rama.

Në fund, kreu i qeverisë kishte një mesazh edhe për opozitën. "Qeveria nuk është e përsosur, por ka një virtyt, ka sytë dhe veshët katër për të parë dhe dëgjuar. Kur të mos më keni do më kujtoni, por deri atëherë ka yhyhy plot kohë për t'u dashur dhe për t'u zënë me njëri tjetrin, rëndësi ka të na bashkojë qëllimi i mirë" përfundoi ai. Por si ka nisur historia e konfliktit të familjeve te 'Petro Nini' në Tiranë që dje përfundoi në përplasje?

Share This Video


Download

  
Report form
RELATED VIDEOS