Ujërat e lumit Gjanica janë ende të ndotura nga derdhja masive e hidrokarbureve dy ditë më parë ndërsa shkaktarët mbeten ende mister.
Pas gjobave dhe kallëzimeve penale që mjedisorët po u bëjnë kompanive të naftës në Fier dhe Mallakastër, këto të fundit kanë nisur një lojë kukafshehti. Edhe pas 24 orësh kontrolle përgjatë shtratit të Gjanicës nuk është gjetur burimi i ndotjes.
Dyshohet se hidrokarburet këtë herë mund të jenë shkarkuar nga tubacione të fshehta ose me autobotë. Pikat e njohura nga ku derdhen mbetjet e naftës në lumë, rezultuan të pastra.
Për qytetarët ndotja që sjell Gjanica e bën jetesën në Fier po aq të padurueshme sa në fshatrat e fushës naftëmbatjëse Patos- Marinëz.
Pasojat në shëndetin e banorëve janë konkrete.
Prej vitesh lumi Gjanica është kthyer në vend depozitimi mbetjesh hidrokarbure. Këto të fundit shkarkohen në lumë nga kompanitë privatë të naftës por edhe nga vetë Albpetrol. 3 muaj më parë Inspektorati Mjedisor në fier bëri kallëzim penal dhe gjobiti dy kompani nafte.
Këto të fundit i janë shmangur pagesës së gjobës ndërsa fati i hetimit të kërkuar prej Prokurorisë mbetet i paqartë. Në këto kushte ujërat e lumit presin tonelata mbetjesh hidrokarbure. Shkaktarët përveçse të pandëshkuar tani po fshehin edhe gjurmët e këtij krimi mjedisor.
Tv Klan