Bujar Spahiu është zgjedhur këtë të shtunë kryetar i ri i Komunitetit Mysliman Shqiptar me një mandat 5-vjeçar. Spahiu mori 59 vota, duke mundur në garën për kreun e myslimanëve Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra (26 vota) dhe Myftiun e Lushnjës, Gramoz Glliku (2 vota).
?Unë siguroj shtetin shqiptar, ndërmjet jush, se do të shërbej në këtë detyrë me përkushtimin e një njeriu të bindur ndaj Zotit dhe do të bëj përpjekjet e mija maksimale të jem një shqiptar i mirë dhe një qytetar i mirë. KMSH nën lidershipin tim do të ruajë traditën e paraardhësve të mi të nderuar. Do të jetë puna ime parësore, ruajtja dhe forcimi i harmonisë dhe dialogut ndërfetar në Shqipëri?, tha Spahiu në fjalën e tij përshëndetëse pas zgjedhjes në postin e kreut të KMSH.
I ashpër në reagimin e tij ishte Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili nuk pranoi rezultatin e zgjedhjeve, duke e quajtur procesin zgjedhor një farsë.
?Kemi një farsë të organizimit të zgjedhjeve në këtë mënyrë?, tha Gurra, duke akuzuar ?një organizëm okult, ata të cilët i kanë imponuar KMSH, mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve, edhe të disa myftive, por edhe të shoqërisë civile, por edhe katapultimin e titullarit. Organizatë të cilët dihen publikisht...Ajo çka prekët ju gylenistët, apo kemalistët, apo dikush tjetër gjetkë sigurisht që nuk janë pa ndikime në këtë rrjedhë ngjarjesh dhe në të tilla katapultime të krerëve të KMSH të këtij vendi, sepse detyrimi i parë është që shqiptarët ta zgjedhin vetë kryetarin pa ndikime, qofshin këto organizative, qofshin financiare, apo ideologjike.?
I pyetur nëse do të dorëhiqej nga posti i Myftiut të Tiranës, Gurra tha: ?Nuk kam asnjë arsye të jap dorëheqjen.?
Ndërsa në lidhje me akuzat për lidhje me njerëz afër pushtetit, Gurra tha: ?Dëshiroj të them në mbyllje, unë jam shqiptar, jam mysliman, ushtar i askujt, majtas apo djathtas, ushtar i askujt në Anadoll apo diku gjetkë. Jam i qëndroj dhe i besoj shërbimit tim për këtë vend dhe në këtë vend jashtë çdo ndikimi kult?. /tvklan.al