Martin Ndreca u vra në sy të djalit të tij 10-vjeçar. Fqinji i tij Ndue Zefi nuk ka pyetur që fqinji i tij në makinë kishte edhe të birin. Nuk është kursyer, dhe e ka qëlluar me automatik duke e lënë të vdekur në vend. Ka shtënë me 5 plumba...Fatmirësisht vogëlushi 10-vjeçar ka shpëtuar, por nuk është e lehtë trauma që ai ka përjetuar, të shohë babain e tij teksa ndërron jetë. Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së dielës në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Martin Ndreca dhe Ndue Zefi, fqinj me njëri-tjetrin ndodheshin të dy në një lokal të lagjes, kur kanë nisur një debat mes tyre, që çoi më tej edhe në rrëmbimin momental të autorit, duke e ndjekur Martin Ndrecën deri tek makina, teksa ai ikte për në banesë, ku edhe e vrau.
Vëllai i të ndjerit, Arben Ndreca, thotë në një rrëfim për Shqiptarja.com, se vëllai i tij nuk u vra për çështje nderi, siç u përfol në disa media. SIpas tij konflikti mes vëllait të tij dhe Ndue Zefit ka ndodhur për një sherr krejtësisht banal: "Pse më shikon"
"Ne e kemi pasur të njohur Ndue Zefin, por nuk është se kemi patur ndonjë afrimitet me të. Kemi qenë afër me shtëpi në Adriatik të Kurbinit. Banesat kishin një distancë prej 100 metrash me njëra-tjerën" thotë Ndreca .
Sipas tij, vëllai dhe Ndue Zefi nuk kanë qenë në të njëjtën tavolinë, në lokalin e lagjes.Vëllai im atë natë ka qenë në të njëjtin lokal me viktimën në Durrës, por jo në të njëjtën tavolinë siç është thënë në media. Martini ka qenë bashkë me djalin e tij 10 vjeçar dhe me ca persona të tjerë. Në një moment autori i ka thënë Martinin pse më shikon dhe e ka ofenduar. Sipas dëshmitareve aty kanë debatuar me njëri tjetrin dhe më pas autori është larguar. Martini ka qëndruar dhe 20 minuta në lokal dhe më pas ka marrë makinën dhe është larguar bashkë me djalin për të shkuar në shtëpi. Pak metra pa arritur tek banesa autori i ka dalë para dhe i ka bllokuar rrugën me automjetin e tij. Martini ka zbritur dhe sipas djalit që ka qenë me të janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Pas konfliktit vëllai është nisur për të ikur, ndërsa autori ka shkuar tek makina dhe ka marrë armen. Ka qëlluar me 5 plumba në drejtim të makinës dhe dy prej tyre i kanë prekur organet jetësore, duke i shkaktuar vdekjen.