Eduard Kukuan, eurodeputeti i qendrës së djathtë, del kundër vendimit të partisë simotër në Shqipëri për të djegur mandatet. Në një prononcim për Report TV, Kukan thotë se mandatet duhet të trajtohen me përgjegjësi.
"Unë nuk mendoj se është një ide e mirë. Nuk pajtohem me bojkotin e parlamentit. Unë mendoj se politikanët në Shqipëri duhet t?i trajtojnë institucionet demokratike dhe mandatet që u janë dhënë nga qytetarët me më shumë përgjegjësi", thotë ai.
Kukan bën apel për dialog politik të qëndrueshëm.
"Jam i shqetësuar për përshkallëzimin e tensioneve politike. Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë në drejtim të përmbushjes së reformave, por edhe në procesin e integrimit në BE. Kam përsëritur gjithmonë se Shqipëria ka nevojë për një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm për të arritur potencialin e plotë demokratik. Situata aktuale politike duket se nuk e ndihmon vendin për të lëvizur përpara", shprehet Kukan.
Eurodeputeti i djathtë njofton pasojën e parë: kriza politike mund të pengojë negociatat.
"Do të ishte për të ardhur keq nëse do të shkaktonte ngadalësim në procesin e integrimit në BE. Hapja e negociatave është diçka që pritet shumica dërrmuese e shoqërisë shqiptare dhe e cila ka qenë e mundshme. Sipas mendimit tim, të gjithë politikanët shqiptarë duhet të kenë punuar 150% për tu siguruar që vendi të mos humbasë mundësinë për të hapur negociatat e anëtarësimit", thotë në prononcimin për Report, Eduard Kukan.
Të gjithë ndërkombëtarët, të majtë e të djathtë, amerikanë dhe evropianë që janë shprehur deri më tani, nuk kanë mbështetur vendimin radikal të opozitës shqiptare për të djegur mandatet.