Policia ka arrestuar personin e parë për vrasjen e Sokol Ramës, i cili u gjet dje i pajetë në makinë në malet e Këlcyrës (lexo këtu). I arrestuari është Roland Milo, shoku i Sokol Ramës. Ai u prangos në banesën e motrës në Vaqarr. 33-vjeçari Sokol Rama kishte humbur kontaktet me familjen e tij në fshatin Mamaj të Tepelenës, ndërsa për herë të fundit ishte lokalizuar përmes telefonit në Përmet.
Ai u gjet i vdekur në makinën e tij në fshatin Mbrezhtan të Përmetit. Trupi i u dërgua në morg ku dhe u verifikua shkaku i vdekjes së tij. Nga këqyrja paraprake e trupit rezultoi se ishte vrarë me armë zjarri. Bashkë me të u zhduk tre ditë më pas, shoku i tij Roland Milo nga fshati Miçan i Përmetit, i cili është arrestuar sot nga policia i dyshuar se mund të ketë qenë ai që e ka ekzekutuar me armë zjarri. Sokol Rama është një emër i njohur për policinë, pasi më parë ka qenë i ndaluar për disa vjedhje. Dyshimet e policisë lidhet me një konflikt të mundshëm mes dy shokëve për trafikun e kanabisit.