Një seancë e veçantë kjo e sotmja në Gjykatën e Tiranës për masën e sigurisë për të ndaluarit që akuzohen se ushtruan dhunë në protestën e opozitës të shtunën para kryeministrisë. Një seancë me nota komike.
Të ndaluarit, 16 protestues, kanë bërë një "miniprotestë" brenda institucionit të Gjykatës. Në dhomën e të pandehurve, mes të cilëve është edhe ish-kreu i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, protestuesit kanë thirrur në një zë: Rama ik. Bëjnë edhe simbole me duar që nënkuptojnë rrëzimin nga qeveria të kryeministrit. Të qeshurave nga skenat komike nuk i ka shpëtuar as avokati i të arrestuarve, Ivi Kaso, njëherësh përfaqësues ligjor i Partisë Demokratike.
Salla e gjyqit ka shpërthyer në të qeshura më tej, kur një i ndaluar, teksa pretendon se nuk ka qenë në protestë, nuk di të qartësojë veten se ku është ndodhur ditën e tubimit, në punë apo tek babai i tij.