Deputeti i PD, Ervin Salianji thotë se dosja "339", përgjime të partnerëve ndërkombërtarë, flet edhe për ish-ministrin e Transporteve dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri si i përfshirë në shitblerjen e votave. Janë 10 zyrtarë të PS, tha Salianji, të zbuluar nga përgjimet e grupit e heroinës së Hasit, të përfshirë në trafik droge dhe blerje votash për llogari, sipas tij, të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. "Në një përgjim të vetëm, kanë dalë nja 10 zyrtarë për drogë, blerje votash nga bandat me Vangjush Dakon në Durrës dhe Shijak. Vetëm këto janë bërë publike, por padiskutim që ka edhe dosje të tjera që janë kapur në përgjim zyrtarë të lartë të PS që flasin për shitblerje të votave. Nëse do kishim gjyqësor dhe prokurori të pavarur do ishin arrestuar. Jemi në një situatë ku këtu këta persona që i kanë shërbyer Ramës për të ardhur në pushtet dhe për të mbajtur pushtetin, janë të lirë, nuk ka asnjë të arrestuar për shitblerje të votave. Është dosja e Damian Gjiknurit e nxjerrë edhe nga PD. Basha e ka thënë që kemi informacion për këtë ish-ministër të përfshirë në shit-blerje të votave. Basha ka parë dosjen për Gjiknurin. Por sot përgjimet po i publikon edhe një institucion prestigjioz që do të thotë se niveli i alarmit ka tejkaluar shqetësimet e Shqipërisë, siç është "Zëri i Amerikës"", tha Salianji.