TIRANE- Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka përfunduar hetimin administrativ për vjedhjen e armatimeve në depon e bazës së Pashalimanit, ndërsa ka dalë në përfundimin se përgjegjës për ngjarjen është i gjithë zinxhiri komandues i Forcës Detare duke filluar nga komandanti i Forcës Detare Ylber Dogjani. Lajmi konfirmohet për Report Tv nga burime pranë Shtabit të Përgjithshëm të FA-së. Hetimi i drejtuar nga Shtabi i Përgjithshëm i FA-së ngarkon me përgjegjësi të gjithë linjën e drejtim komandimit në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit.
Në bazë të hetimit, përgjegjësia për masat e sigurisë në bazën detare, i ngarkohet komandantit të Forcës Detare Ylber Dogjani, komandantit të bazës dhe të gjithë linjës së komandimit. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm shkarkoi nga detyra 15 ushtarakë përgjegjës në drejtim-komandimin dhe cështjet e sigurisë e ruajtjes në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit. Ministrja e Mbrojtjes nisur nga rezultatet e hetimit administrativ i ka propozuar gjithashtu Presidentit të Republikës, shkarkimin e komandantit të Forcës Detare, Gjeneralmajor, Ylber Dogjani.
Vjedhja e armëve në Pashaliman ndodhi në datë 11 janar të këtij viti, ndërsa të arrestuar janë katër persona, 2 roje dhe 2 përgjegjës me akuzën 'shpërdorim detyre' dhe 'dëmtim të aseteve ushtarake'. Ushtarakët që janë arrestuar për ngjarjen, konkretisht janë; Lesko Ramosaçaj 52 vjeç e Edlir Nelaj 42 vjeç përgjegjës, Ervis Memsulaj 23 vjeç dhe Ardit Ramaj 25 vjeç roje. Report Tv zbardhi dosjen e plotë dhe kronologjinë e vjedhjes së armatimeve