TIRANË- Një ish-punonjës policie ka mbetur i vrarë mesditën e sotme pranë shkollës "At Zef Pllumi" pranë Selitës në kryeqytet. Report Tv mëson se viktimë ka mbetur ish-polici Arben Bilali, 50-vjec, i cili ka humbur jetën gjatë një shkëmbimi zjarri me disa persona të tjerë. Edhe pse është transportuar me urgjencë në drejtim të spitalit, Bilali nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të marra. Ai ka marrë plumba në pjesën e barkut dhe gjoksit. Arben Bilali ishte banor i zonës së Selitës.
Report Tv mëson se Bilalit i është bërë një atentat edhe në maj të vitit 2010 nga i cili ai ka mbetur i plagosur po në zonën e Selitës. Ndërsa disa muaj më pas, në gusht të vitit 2010 atij i kanë ekzekutuar vëllanë, Leonard Bilali ish-mundës i Dinamos, 33-vjeç. Ai u qëllua teksa ishte i ulur në një nga tavolinat e një bar-kafeje pranë stacionit të fundi të autobusit të Tiranës së Re, në rrugën ?Irfan Tomini? në kryeqytet.