Gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha, i cili ka ndjekur nga pranë protestën e 21 janarit 2011 ku u vranë katër mbështetës të opozitës, ka rrëfyer në studion e Report Tv atë që ndodhi atë pasdite të ftohtë janari. Ai thotë se policia gaboi kur përdori gazin lotsjellës ndaj protestuesve i cili dëmtoi edhe vetë efektivët të cilët nuk ishin të pajisur me maska antigaz. Artan Hoxha thekson gjithashtu se vrasjet ndodhën kur protesta ishte shuar. "E kam ndjekur nga afër protestën në terren atë ditë. Policia bëri një gabim të madh. Pasi përqindja e gazit lotsjellës të përdorur ka qenë shumë e madhe. Kjo situatë e krijuar, policia duke përdorur gazin lotsjellës në vend që të shpërndante protestuesit, dëmtoi trupat e veta sepse nuk ishin të pajisur me maska. Ndërsa Garda nuk lejonte trupat e policisë të hynin në territorin e Kryeministrisë. Edi Rama është larguar që në momentin kur makina hodhi gazin lotsjellës. Ndodheshin Saimir Tahiri, Arben Çuko, Zyhdi Dajti, të cilët kanë qenë aty për të parandaluar që njerëz nga turma të hynin brenda territorit të Kryeministrisë. Vrasjet në Bulevard ndodhën kur protesta ishte shuar", u shpreh gazetari, Artan Hoxha.