Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në një konferencë për shtyp ka bërë me dije se kur do të zbulohen detajet e reja lidhur me protestën e planifikuar nga opozita.
Në konferencën për shtyp, Bardhi u shpreh se ditën e nesërme në orën 11:00 në selinë e PD-së do të mblidhet Kolegji i kryetarëve, ku edhe do të diskutohet lidhur me datën dhe mënyrën e protestës së opozitës.
"Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ngarkoi kryesinë e re me organizimin e protestave popullore, me qëllim largimin e qeverisë së Edi Ramës. Nesër në orën 11.00 do të mblidhet Kolegji i Kryetarëve, që do të diskutojë formën e protestës, datën e protestës dhe të gjitha detajet që lidhen me protestën dhe me zbatimin e vendimit të Këshillit Kombëtar,"- tha Bardhi.
Deklarata e Gazment Bardhit:
Siç jeni në dijeni, sot ishte mbledhja e parë e konstituimit të kryesisë së re të Partisë Demokratike. Në zbatim të vendimit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, që ngarkoi kryesinë e re me organizimin e protestave popullore, me qëllim largimin e qeverisë së Edi Ramës, sot Kryesia ka diskutuar mbi strategjinë e protestave që do të ndjekë Partia Demokratike dhe opozita për realizimin e kësaj vendimmarrjeje të Këshillit Kombëtar. Vendimi i kryesisë së Partisë Demokratike është që nesër në orën 11.00 të thërrasë mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve, një organ i ri statutor i Partisë Demokratike, për të diskutuar paraprakisht me ta mbi strategjinë e protestave që do të ndiqen dhe, më pas, gjatë pasdites, do të ketë një mbledhje tjetër të kryesisë së Partisë Demokratike, mbi detajet dhe strategjinë e protestave që do të ndjekë opozita. Ky ishte vendimi i kryesisë. Nesër në orën 11.00 do të mblidhet Kolegji i Kryetarëve, që do të diskutojë formën e protestës, datën e protestës dhe të gjitha detajet që lidhen me protestën dhe me zbatimin e vendimit të Këshillit Kombëtar. Nuk ka një vendim mbi këtë çeshtje, e përsëris, ka pasur një diskutim të të gjithë anëtarëve të kryesisë për strategjinë që do të ndiqet për protestat. Do të mblidhet Kolegji i Kryetarëve në orën 11.00 të ditës së nesërme. Ju lutem, duroni deri nesër për detajet e mënyrës, formës, datës, orës dhe të gjitha çështjeve të tjera që lidhen me protestën. E vetmja thirrje që kam, është që ju t?i bashkoheni protestës së opozitës.
Rreth një javë më parë, kreu i PD-së, Lulzim Basha lajmëroi opozita do të udhëheqë revoltën e qytetarëve me protesta në të gjithë vendin deri në rrëzimin e Edi Ramës.