Punonjësja e Policisë Ina Nuka, e cila mbeti e plagosur gjatë protestës së 22 nëntorit përpara Parlamentit të Shqipërisë, paraditen e sotme, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu zhvilloi një vizitë falënderimi në ambasadën turke në Tiranë. Aty u prit nga Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük. Në përgjigje të interesit të medias, Ina Nuka theksoi se kjo ngjarje e ka bërë më të fortë dhe asnjëherë nuk ka menduar të tërhiqet pavarësisht vështirësive, pasi Policia është ëndrra e saj. Në muajin shkurt ajo pritet t'i nënshtrohet një tjetër operacioni në Turqi për të bërë të mundur rikuperimin e plotë të gishtave të dorës.
Ajo falënderoi ambasadën e Turqisë, Presidentin e Turqisë, mjekët që kryen operacionin, përfaqësuesit e ambasadës shqiptare në Turqi, për impenjimin dhe ndihmën duke bërë të mundur rikuperimin e gishtave të dorës. Drejtori Veliu shprehu vlerësime për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë punonjëses së Policisë.
Ambasadori Yörük i uroi shërim të shpejtë Ina Nukës. "Jam i lumtur që sot e shikoj motrën tonë të qeshur dhe të gatshme për t'u rikthyer në punë. Miqësia e dy popujve tanë është e përjetshme dhe ne përsëri edhe në të ardhmen do jemi të gatshëm për të mbështetur vëllezërit tanë shqiptarë", nënvizoi ambasadori turk.