Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, u shpreh sot pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit ku u votuan dekretet e Ilir Metës për ndryshimet në qeveri, se Gent Cakaj do jetë ministër i Punëve të Jashtme. Balla tha se kjo detyrë do mbahet përkohësisht nga kryeministri Edi Rama derisa Gjykata Kushtetuese, shtoi ai, të zgjidhë ngërçin e krijuar nga presidenti Ilir Meta, i cili sipas Ballës ka vepruar në shkelje të Kushtetutës kur rrëzoi dekretin për Cakajn. "Gent Cakajn do ta kemi në kabinet sapo kushtetuesja të zgjidhë ngërçin me presidentin. Dhe kjo ka bërë që kryeministri ka propozuar emrin e tij për të qenë ministër i Jashtëm, deri në tejkalimin e kësaj situate. Kjo ka ndodhur edhe me z.Meta, kur iu besua detyra e zv/kryeministrit krahas njëherë ministër i jashtëm dhe njëherë ministër Ekonomie. Pra është një praktikë e konsoliduar parlametnare dhe kushtetuese", u shpreh Balla.