Bora mban te bllokuar fshatrat e thella

RTV KLAN 2019-01-13

Views 1

15 persona, mes të cilëve disa mësues të cilët kishin mbetur të bllokuar nga dëbora në fshatrat Thesh e Shalë janë evakuuar nga forcat ajrore paraditen e se dielës. Ndërhyrja nga ajri ishte e vetmja mundësi për t'i nxjerrë nga fshatrat dhe për t'i dërguar në qytetin e Shkodrës. Mes të evakuuarve kishte edhe 2 të sëmurë.

Edhe pse rrugët nacionale janë të kalueshme, në Dibër problem mbetet lidhja e zonave rurale me qendrat. Ky është qarku që raporton numrin më të madh të fshatrave që janë ende nën pushtetin e dëborës. Situata është e njëjtë edhe në fshatrat e tjerë të njësisë Sllovë, ndërsa dhjetëra të tjerë janë ende të izoluar.

Puna për të hapur rrugët dhe krijuar komunikim të fshatrave me qendrën ka vijuar edhe në Qarkun e Kukësit. Kryetari i Bashkisë së Kukësit ripërsëriti edhe njëherë kërkesën ndaj qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse për të riparë procedurën e mirëmbajtjes së rrugës së Shishtavecit.

Në Dardhas të Pogradecit, bora nuk matet me centimetër, por me metër. Të gjitha fshatrat e kësaj njësie administrative janë në izolim prej dy javësh. Në nevojë ekstreme, banorët ndërmarrin riskun duke ecur mbi 5 orë në këmbë. Energjia elektrike mungon prej dy javësh.

Vetëm në fundjavë u bë e kalueshme rruga prej 7 kilometrash nga Dardhasi deri në Qafë Plloçë, ndërsa nuk dihet kur do të ndërhyet për të hapur edhe rrugët e fshatrave të tjera, që vuajnë izolimin e gjatë.

Autoritetit Rrugor Shqiptar raporton se situata në rrugët nacionale është e zhbllokuar dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Përmirësim i situatës së rrugëve paraqitet edhe në veri, por për shkak të temperaturave të ulëta, rekomandohet që përdoruesit të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të përdorin gomat e dimrit.

Tv Klan

Share This Video


Download

  
Report form