Probleme me furnizimin me energji ne zonat malore

RTV KLAN 2019-01-10

Views 4

Moti i keq dhe shtimi i kërkesës për të konsumuar energji elektrike kanë sjellë probleme me furnizimin me energji elektrike në pjesën veriore dhe juglindore të vendit.

Petraq Lika, drejtor i Divizionit të Shpërndarjes të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, tregon në një intervistë për televizionin Klan, se rajonet më të prekura janë Shkodra, Kukësi, Dibra dhe Korça. Pavarësisht ndërprerjeve të energjisë për shkak të defekteve, zgjidhja ka qenë shumë e shpejtë, thotë ai, dhe numri i defekteve sërish ka qenë 40% më i ulët se një vit më parë.

Nevojat për konsum të energjisë kanë arritur në nivele marramendëse, duke ia kaluar me 20% edhe natës së Vitit të Ri. Petraq Lika thotë se furnizimi me energji është i garantuar për të gjithë konsumatorët dhe kompania ka marrë masat që edhe numri i defekteve të jetë më i ulët duke menaxhuar rrjetin me shpërndarjen e fluksit të ngarkesave.

Aktualisht afro 70% e vendit është duke u furnizuar me energji që OSHEE po e importon, ndërsa 30% e nevojave për konsum plotësohet nga KESH. Prodhimi i energjisë nga Korporata Elektroenergjetike është në nivele të njëjta me ato të muajit Dhjetor, ndërsa prurjet dhe niveli i ujit në kaskadën e Drinit kanë mbetur të pandryshuara për shkak të ngricave. KESH pret përmirësim të situatës pas disa javëve, kur temperaturat të pësojnë ngritje dhe dëbora të nisë shkrirjen.

Tv Klan

Share This Video


Download

  
Report form