Autoritetet policore arrestuan pasditen e kësaj të mërkure gjyqtarin e Gjykatës së Fierit, Roland Hysi, si dhe psikologen po pranë kësaj gjykate, Elona Meçani. Arrestimi i tyre erdhi pas denoncimit të bërë mbrëmjen e së martës në emisionin investigativ "Stop", në Televizionin Klan. Me anë të kameras së fshehtë tregohej sesi 50-vjeçari Hysi shfaqej duke marrë 500 euro ryshfet dhe kërkonte favore seksuale një gruaje të divorcuar, për t'i dhënë asaj kujdestarinë e fëmijës. Ndërsa psikologia 28-vjeçare bënte rolin e sekseres.
"Drejtoria Hetimore Qendrore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Tiranë kryen ekzekutimet e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë Nr.5, datë 09.01.2019 e cila ka vendosur masën e sigurisë ?Arrest me burg? për shtetasit: Roland Hysi, 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier; Elona Meçani, 28 vjeçe, banuese në Fier, me detyrë psikologe, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier", thotë Policia e Shtetit në një njoftim për mediat.
Hysi dhe Meçani ndodhen të ndaluar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Për ta gjykata vendosi masën e sigurisë "Arrest me burg" për veprat penale ?Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtesisë" dhe "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike?.
Kamera e fshehtë e "Stop" tregoi se nëna e divorcuar takohej në ambientet e një hoteli në Fier me gjyqtarin Hysi, atje ku jepte edhe shumën prej 500 eurosh për të marrë vendimin në favor të saj. Por gjyqtari Hysi nuk mjaftohej vetëm me paratë, pasi kërkonte edhe favore seksuale prej saj.
Por pas hedhjes së shortit, çështja do të shqyrtohej nga gjyqtari Taulant Banushi dhe sërish psikologia Elona Meçani luajti rolin e sekseres dhe denoncueses iu desh të paguante ryshfet edhe 500 Euro të tjera.
Pas këtij skandali reagoi edhe Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, që tha se ky rast ka cenuar rëndë figurën e gjyqtarit.
"KLGJ nxit shqyrtimin dhe verifikimin e plotë të gjithë kësaj ngjarje, nga strukturat përkatëse dhe shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për ngjarjen dhe për implikimin e mundshëm të gjyqtarit apo gjyqtarëve të përmendur në emisionin investigativ "STOP".
KLGJ garantoi se do të bashkëpunojë pa asnjë rezervë për çdo rast korruptiv në gjykatat shqiptare.