TIRANË - Nata e ndërrimit të viteve për familjen e Vladimir Mulaj, vëllain e kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj, nuk ka qenë e zakontë. Kjo pasi një sasi e konsiderueshme tritoli ka shpërthyer në oborrin e shtëpisë së Vladimir Mulaj, duke sjellë dëme serioze në vilën që zotëron Mulaj, në afërsi të qytetit studenti në Tiranë.
?Shqiptarja.com? mëson nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, se ngjarja e rëndë është regjistruar në datën 1 janar 2019, por çuditërisht Policia e Tiranës nuk ka shpërndarë asnjë njoftim për këtë ngjarje kaq të rëndë. I pakuptimtë ky qëndrim i policisë për këtë ngjarje, por burimet thanë se grupi hetimor ka sekuestruar disa pamje filmike afër zonës ku ndodhi ngjarja, me shpresën se kamerat kanë filmuar autorin e krimit.Shpërthimi i tritolit ka ndodhur në oborrin e vilës së Vladimir Mulaj, duke shkaktuar thyerjen e xhamave dhe krijuar një gropë në vendin e shpërthimit. Nuk dihet me saktësi nëse kjo ngjarje lidhet me ndonjë konflikt të Vladimir Mulaj, por kujtojmë se ky i fundit është vëllai i Natasha Mulaj Kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, e cila po drejton shumë procese gjyqësore, duke shkarkuar gjyqtarë dhe prokurorë. Natasha Mulaj drejton një nga institucionet më të rëndësishme të vendit, dhe është hallka e fundit që vulos përfundimisht shkarkimin nga detyra të prokurorëve dhe gjyqtarëve.