Pas protestës nga punonjësit e rafinerisë së Ballshit, të cilët denoncojnë se nuk kanë marrë rrogat e tyre dhe janë papunë si pasojë e ndërprerjes së punës në rafineri, ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga kompania naftënxjerrëse Bankers Petroleum. Në një deklaratë për mediat, Bankers bën me dije se punonjësit po përdoren si presion ndaj kompanisë. Më tej, kompania sqaron se është kompania Tosk-Energji që ka shkelur termat e kontratës duke vonuar pagesat. Punonjësit e rafinerive protestojnë pasi sipas tyre puna në rafineri është ndërprerë për shkak të prishjes së kontratës mes Bankers dhe Tosk Energji.
Deklarata e plotë e Bankers Petroleum:
Bankers Petroleum Albania është informuar përmes medias mbi protestën e punonjësve të kompanisë Tosk Energji, të cilët pretendojnë se puna në rafineri është ndërprerë si pasojë e mos-furnizimit me naftë bruto.
Duke qenë tërësisht mirëkuptues me punonjësit, Bankers dëshiron të informojë opinionin publik se ka qenë gjithnjë bashkëpunues me kompaninë Tosk-Energji për të mbajtur në punë rafinerinë, pasi është e rëndësishme për jetesën e banorëve të Ballshit.
Me keqardhje, vëmë re se punonjësit janë duke u përdorur si presion kundrejt kompanisë Bankers kur në fakt është pikërisht Tosk Energji që ka dështuar në përmbushjen e termave të kontratës dhe në mbajtjen e një marrëdhënieje korrekte ndërmjet dy bizneseve.
Përgjatë vitit 2018, kompania Tosk Energji ka shkelur shpeshherë kontratën duke vonuar pagesat dhe tërheqjen e naftës nga depot e Bankers. Në disa raste, Tosk nuk ka paguar për sasitë e naftës së dakordësuara në kontratë çka ka krijuar vështirësi serioze për Bankers në zhvillimin e operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke akumuluar stoqe të mëdha nafte dhe duke shkaktuar kosto shtesë.