Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, në 23 nëntor të 2018, vendoi të shkarkonte nga detyra prokurorin pranë Prokurorisë së Tiranës, Shpëtim Kurti. Trupa gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Roland Ilia, pas një hetimi të thelluar, asistuar edhe nga përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, arriti në konkluzionin se prokurori nuk justifikon pasurinë me të ardhura të ligjshme si dhe ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krim të organizuar.
Sa i takon kontrollit të figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), në një raport të datës 2 nëntor të 2017, thekson se Shpëtim Kurti ka pasur kontakte të papërshtatshme, me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Ky raport është përditësuar dy herë nga DSIK, fillimisht në 6 shtator 2018 dhe më pas në 14 nëntor 2018, duke theluar bindjen se prokurori nuk duhet të shërbejë në sistemin e drejtësisë.
Çudia e madhe
KPK ka bërë një hetim të thelluar mbi figurën e prokurorit të Tiranës Shpëtim Kurti, i cili dyshohet se ka favorizuar trafikantë të qenieve njerëzore në të paktën dy raste. Nga hetimi rezulton se më datë 30 shtator 2013, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përcjellë një dosje penale pranë Prokurorisë së Tiranës, për shkak moskompetence, ku ishte përfshirë shtetasi H. M. dhe të tjerë, pasi grupi i strukturuar kriminal dyshohej se ishte përfshirë në dhënie ndihme për kalim të paligjshëm kufiri. Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin kundër shtetasve: H. M., A. P., Sh. S., A. B., K. B., e të tjerë.