Sikur të mos mjaftonte ndotja nga djegia e mbeturinave urbane, furrat e gëlqeres dhe guroret, qytetit të Fushë-Krujës i është shtuar dhe ndotja e tmerrshme nga trailerat që kalojnë në mes të qytetit natë e ditë, duke shkaktuar re pluhuri të paimagjinueshme. Kjo ndodh në një kohë që ka përfunduar unaza për në autostradë ku duhet të kalojne këto trailera.
Ato gjejnë rrugën me të shkurtër duke kaluar në qendër të qytetit duke shkaktuar këeshtu re pafund të pluhurit, ndotje akustike, bllokim të trafikut që për këtë qytet është një fenomen tepër shqetësues si dhe rrezik të vazhdueshëm për jetën e qytetarëve. Megjithëse ka një vendim të bashkisë Krujë dhe disa tabela që ndalojnë kalimin e trailerave në qendër të qytetit, vendimi ka kohë që nuk zbatohet.
Me gjithë këtë situatë të tmerrshme policia bashkiake nuk duket gjëkundi. Po ashtu edhe policia rrugore vetëm bën sehir për këtë tmerr që shkakton kalimi i trailerave në mes të qytetit. Mjetet e tonazhit të larte vazhdojnë me mos perfillje dhe indiferentizëm të jenë problem për banorët e qytetit.