Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialistët vendosën ta rrëzojnë dekretin e Presidentit për rishqyrtimin e ligjit të buxhetit.
Në një dalje për mediat, kryetari i grupit Taulant Balla u shpreh se ky ishte një vendim i paarsyeshëm.
Balla: Është e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë që Presidenti i Republikës të kthejë buxhetin e shtetit. Buxheti i shtetit është votuar më 3 dhjetor. Kjo nuk ka të bëjë fare me çështjen e studentëve. Unë nuk shoh asnjë lloj lidhje mes këtyre të dyjave. Edhe vetë Presidenti e di këtë gjë.
Edhe pse gjatë mbledhjes socialistët nuk folën për protestën e studentëve, Balla rikonfirmoi qëndrimin pro dialogut, për të plotësuar 8 pikat, por edhe më shumë. Ndërsa theksoi se ligji i arsimit të lartë nuk preket.
Balla: Ligji i arsimit të lartë është themeli i ngritjes së një Universiteti publik mbi bazën e eksperiencave dhe standardeve më të mira evropiane. Por implementimi i tij nuk është sot tërësisht i plotë. Për këtë ne kemi përgjegjësitë tona se përse nuk është implementuar tërësisht dhe në thellësi ligji i arsimit të lartë.
Edhe për kandidaturën e Vitore Tushës në KLSH, Balla tha se vota jo e PS është e detyruar.
Balla: E kemi vlerësuar personalitetin e kandidaturës, por vlerësojmë po ashtu shumë të rëndësishme, prezencën e saj në institucionin më të lartë të drejtësisë së re sikurse është KED-ja.
Në mbledhjen e sotme të grupit, socialistët njoftuan se këtë javë do të ketë dy seanca. Njëra ditën e enjte ku do të rrëzohet dekreti i Presidentit dhe do të shqyrtohen ligjet e tjera të rendit të ditës dhe një seancë ditën e premte, ku do të diskutohet vetëm për vetingun në politikë. Një propozim i PD, i cili edhe ky do të marrë votën kundër të shumicës.
Gjatë mbledhjes, deputeti Pjerin Ndreu kritikoi sjelljen e ministrave në komisione, pasi sipas duhet të rakordojnë qëndrimet e tyre me deputetët, për të mos krijuar debat të panevojshëm. Ky konstatim ka marrë mbështetjen e kryeministrit, i cili ndër të tjera përgëzoi grupi socialist si i miri, sa i përket koordinimit dhe bashkëpunimit mes tyre dhe qeverisë.
#oranews #protestaestudenteve
Për më shumë lexoni në:
http://www.oranews.tv/article/mazhoranca-do-te-rrezoje-dekretin-e-metes-buxhetin