Në momentin kur kryeministri Edi Rama po zhvillonte komunikimin 'live' në Facebook (Lexo këtu), te protesta përpara Ministrisë së Arsimit është vendosur një ekran, por ai është hequr nga studentët. Ata e kanë ndjekur fjalimin e kryeministrit përmes rrjeteve sociale. Edhe pse kryeministri Edi Rama tejkaloi kërkesat e tyre duke vendosur subvencionimin 100% të tarifës për studentët ekselentë dhe ata që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, modernizimin e konvikteve, shkarkimin e bordit të administrimit të universiteteve apo dhe punësimin e studentëve të shkëlqyer pa konkurse në administratë, sërish studentët kanë refuzuar thirrjen për dialog.
Ata kanë qenë të prerë në përgjigjen e tyre se nuk do të ketë dialog, pasi kërkesat e tyre janë të panegociueshme. Ata janë shprehur se nuk do të ngrejnë përfaqësi nga radhët e tyre për të dialoguar me kryeministrin. Nga protesta përpara Ministrisë së Arsimit studentët i kanë kërkuar kryeministrit përmbushjen e të gjitha pikave të tyre, pa qenë nevoja për negociata apo dialog.
Studente: Mesa di unë si studente, janë paraqitur tetë pika. është kërkuar 50% e tarifës. Nëse kjo është thënë nga kryeministri, më mirë akoma. Por nëse plotësohen kërkesat mirë, nëse jo vijon protesta.
Studente: I thoni z.Rama që jemi shumë të lumtur, por kemi edhe 7 kërkesa të tjera. Nuk jemi grup, unë dua të përfaqësoj veten, edhe una dua të jem atje (në takim).
Student: Të flasë edhe për shtatë pikat e tjera. Nuk janë vetëm këto, është edhe mesatarja që kemi kërkuar të hiqet. Nuk ka dialog.
(Nuk duam bisedime), studentët thërrasin në kor.
Student: Nuk ka dialog dhe negociata.
Studente: Në momentin kur nuk shohim plotësimin e këtyre 8 pikave nuk shohim vend për dialog dhe as negociata.
Student: Nuk duam marrëveshje. Nuk duam marrëveshje dialoguese, por plotësim të kërkesave.