Projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe ka filluar të marrë jetë. Falë edhe bashkëpunimit të familjeve që kanë vendosur të zhvendosen në banesat sociale, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar për të katërtën ditë radhazi prishjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave që do mundësojnë ndërtimin e Unazës.
Aksioni u përqendrua në afërsi të rrethrrotullimit të Doganës, ku janë prishur disa objekte të tjera pa leje që shërbenin për aktivitete social-ekonomike. Gjithashtu makineritë e IMT-së kanë shembur edhe disa mure rrethuese të cilat gjithashtu përfshihen në gjurmën ku kalon projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe.