Ish-shefi i antidrogës në Drejtorinë e Policisë Fier, sot azilant në Zvicër, Dritan Zagani është deklaruar fajtor dhe dënuar me 4.6 vite burg për akuzat e ?Shpërdorimit të detyrës? dhe ?Moskallëzimit të krimit?. Në këtë mënyrë pas çështjes ?Babale? që nga ana e drejtësisë është cilësuar si një mashtrim, bie edhe një kauzë tjetër e opozitës ajo e denoncimeve të ish-oficerit të policisë Dritan Zagani. Vendimi për dënimin e Zaganit, njeriut që pas ikjes si azilant në Zvicër bëri lëmsh politikën shqiptare, është dhënë ditën e djeshme nga një trupë gjyqësore në gjykatën e Fierit. ?Shqiptarja.com? mëson se i gjithë procesi gjyqësor kundër Zaganit është zhvilluar në mungesë të tij, dhe akuzat për të cilat ai është dënuar kanë të bëjnë për bashkëpunim pa autorizim me një oficer të Guardia Di Financia, të cilit u jepte informacion, përkundrejt pagesave në euro. Pra, Dritan Zagani është dënuar nga drejtësia sepse ka dëmtuar hetimet e policisë dhe ka vepruar për interesa private për përfitime monetare nga policia italiane.
Një rast në vitin 2014 ku Dritan Zagani është bërë sebepi i prishjes së një aksioni kundër trafikantëve të drogës, që po ndiqej nga Krimet e Rënda dhe agjentët e policisë së Shtetit, ku synimi i tyre ishte zbulimi i të gjithë anëtarëve të grupit, i ka shërbyer gjykatës për të faktuar akuzat ndaj ish-oficerit të policisë. Ky aksion hetimor atëhere u ndërpre në mes, pasi në Fier ka ndërhyrë Zagani, në atë kohë shef antidroge dhe ka arrestuar dy persona transportues dhe njëherësh ka sekuestruar një sasi prej 100 kg lëndë narkotike. Ky është dënimi i dytë për Zaganin nga drejtësia, pasi para një viti gjykata e shkallës së Parë Vlorë, e ka dënuar me 3 vite burgim për akuzën e ?Largimit nga vendi i qëndrimit të detyruar?. Dritan Zagani pas arrestimit të tij ishte lënë nga gjykata në masën ?arrest shtëpie?, por ai u arratis. Momentalisht emri i Dritan Zaganit është mes emrave të personave të shpallur në kërkim nga zyra e ?Interpol?.