9 shtetas, 5 prej të cilëve punonjës të doganës, janë arrestuar këtë të shtunë për kontrabandim të mallrave të ndaluara në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës.
SHÇBA në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, kanë finalizuar me sukses një operacion të ndjekur me metoda speciale të hetimit, duke vendosur në pranga 4 shtetas në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës dhe 5 punonjës të doganës në banesat e tyre.
Arrestimi i 9 shtetasve u krye pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë bërë të mundur futjen kontrabandë të kamionit me 2100 goma të përdoruara, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë, me drejtues shtetasin Stojmir Treneski. Ky i fundit u ndalua mbrëmjen e djeshme, nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Pogradec-Maliq, pranë fshatit Sovjan, teksa po tentonte të shkarkonte mallin e kontrabanduar, në magazinën e Petraq Dimkos.