Arben Ahmetaj e komentoi paketën fiskale të vitit të ardhshëm si një kuadër ligjor që i ka të dyja: edhe shkopin dhe karotën. Për të, ana pozitive për sipërmarrësit dhe qytetarët është ulja e tatimit të dividentit dhe përqindjes së tatimit të pagave të larta, ndërsa masat shtrënguese janë ato anti-evazion.
Për kreun e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është e patolerueshme që rreth 40 sipërmarrës rezultojnë të regjistruar si persona fizikë që gjenerojnë të ardhura deri në 2 milion euro, por paguajnë taksa më pak se qytetarët e thjeshtë. Ligji i ri nuk do ta lejojë këtë, pasi një person mund të pajiset vetëm me një NIPT të vetëm, duke penguar në këtë mënyrë copëtimin e xhiros dhe shmangien e taksave. Vetëm nga ky mekanizëm, buxhetit i mungojnë afërsisht 10 milion euro.
Për herë të parë qeveria do të tentojë këtë vit që të tatojë edhe shitjen e kompanive që operojnë në Shqipëri, por që aksionet i tregtojnë në bursa. Ndryshe nga rastet e mëparshme kur disa firma koncesionare janë shitur e nuk kanë derdhur asnjë lek në buxhetin e shtetit, në 2019-ën çdo firmë që ka fituar më shumë nga shitja se sa ka investuar, do të taksohet me 15%.
Vetë deputetët e mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Ekonomisë, kërkuan që të verifikohen edhe mënyra se si taksohen disa anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë që rezultojnë me miliona euro fitime, por që në fakt nuk paguajnë të gjithë taksat.
Tv Klan