REPORT TV vijon që të transmetojë në kohë reale gjithçka që ndodh në fshatin Bularat në Gjirokastër. Drejtori i Informacionit të Report Tv, Muhamed Veliu nga vendi i ngjarjes ka rindërtuar edhe njëherë skenën e momentit të përplasjes së Konstantinos Kaçifas me policinë shqiptare dhe ekzekutimin e tij. Gjithashtu ai ka zbuluar edhe faktin se përse operacioni nuk u filmua nga RENEA, që është praktikë standarde.
Është praktikë standarde që forcat RENEA të kenë një efektiv që filmon të gjitha operacionet, edhe ky duhet të ishte i filmuar. Kanë qenë 12 efektivë që janë përfshirë në operacion, por e kanë pasur të pamundur që të filmojnë, pasi janë gjetur përballë breshërisë së kallashnikovit.
Drejtori i Informacionit të Report Tv, Muhamed Veliu
Ndërkohë që familjarët e viktimës kërkojnë ekspertizë nga Greqia për 35-vjeçarin që u vra nga policia shqiptare. Ata shprehen se nuk kanë besim te autoritetet shqiptare prandaj nuk e kanë tërhequr trupin nga morgu.
Ceremonia mortore e planifikuar për sot është shtyrë për nesër, por nuk përjashtohet sërish shtyrja. Çështja fillimisht është hetuar nga prokurori i Gjirokastrës Arben Pasho, i cili sipas burimeve të Report Tv e ka transferuar dosjen në Tiranë te Krimet e Rënda, ndërsa prokurori që po e heton është Njazi Seferi.