Personat e dënuar për një sërë veprash të rënda penale, që lidhen me krimin e organizuar, trafikimin, terrorizmin dhe korrupsionin, nuk do të mund të përfitojë tendera dhe koncesione. Njoftimi për ndryshimet ligjore është komunikuar nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
?Me këtë paketë ligjore parashikohet që nuk do të mund të përfitojnë tendera publikë, apo koncesione asnjë kompani, që, jo vetëm rezulton e dënuar si subjekt publik, por edhe në rastet kur të dënuar rezultojnë administratorët, përfaqësuesit, drejtuesit, ortakët, apo aksionerët. I njëjti ndalim do të aplikohet edhe për përfitimin e statusit të investitorit strategjik, përftimin për lehtësi në fushën e turizmit dhe përfitimin e ndihmës shtetërore? deklaroi ministrja.
Deri më sot përjashtoheshin nga përfitimi i fondeve publike vetëm subjektet juridikë të dënuar më parë, por me hyrjen në fuqi të paketës së re do të përjashtohen edhe aksionerët, administratorët, apo individë të tjerë me rol vendimmarrës në këto shoqëri tregtare, të cilat janë, ose kanë qenë të dënuar nën cilësinë e tyre individuale.
Deklarata e Ministres së Drejtësisë
Sot, Këshilli i Ministrave miratoi një paketë ndryshimesh ligjore që ndalon përfitimet e të mirave publike nga persona fizikë, apo juridikë, të dënuar për një sërë veprash të rënda penale, që lidhen me krimin e organizuar, trafikimin, terrorizmin dhe korrupsionin. Falë kësaj pakete, me hyrjen në fuqi të këtyre masave do të ndalohet çdo lloj mundësie që kjo kategori individësh shoqërish tregtare apo aksionere dhe përfaqësuesit e tyre të përfitojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë, apo mbështetje financiare nga fondet publike për ushtrimin e aktivitetit të tyre fitimprurës.