Zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj ishte i ftuar në studion e REPORT TV për të zbuluar më shumë detaje nga mega operacioni i Policisë së Shtetit që goditi 4 grupe kriminale duke arrestuar 27 persona nga 44 urdhër arreste, ndërsa u bllokuan edhe shumë asete kriminale.
Report Tv ka zbardhur përgjimet e grupeve kriminale dhe bashkëpunimin mes tyre në trafikun e drogës, por edhe tjetërsimin e pronave, ndërsa Hodaj thotë se kjo nuk është e vetmja provë që i ?gozhdon? para drejtësisë.
Jemi në fazë hetimi dhe besoj që provat nuk janë vetëm ato, hetimet vijojnë. Pas fazës së parë që grumbulluam informacion dhe që solli arrestimet, puna vijon. Përgjimet janë një pjesë e vogël e asaj që mund të jenë në dosjen hetimore, do i shohim kur prokurorët do të paraqesin dosjen për gjykim.
Julian Hodaj
Zv/ministri i Brendshëm tha se operacioni nuk u dekonspirua dhe kjo sipas tij është një arritje, pasi në operacionin që u zhvillua tre ditë morën pjesë mbi 1500 policë. ?Operacioni nuk u dekonspirua dhe kjo është arritje, pasi në aksion ishin 1500 efektivë dhe shkoi shumë mirë?. Hodaj në vijim të intervistës për Report Tv tha se operacioni nuk do të ndalet me kaq duke premtuar të tjera goditje.
Nuk ndalet ky operacion te ata që janë në duart e drejtësisë, por do të vijojë, pasi mund të ketë lidhje të tjera. Besoj që do të ketë zhvillime të tjera, ndoshta në këtë operacion, ndoshta te të tjerë
Julian Hodaj