Të gjithë deputetët socialistë të Komisionit të Ekonomisë votuan mbylljen e bingove kombëtare, pikave të basteve, përfshirë edhe ato online, që përkufizohen si lojëra elektronike në distancë, në një seancë ku mungonin deputetët e opozitës.
Vetë mazhoranca pranoi kërcënimet që krimi i organizuar kishte bërë ndaj deputetëve për të mos votuar ndryshimet ligjore. Propozimi për të shtuar mbylljen e lojërave elektronike në distancë erdhi nga Ministri i Financave Arben Ahmetaj.
Deputetët e Komisionit të Ekonomisë votuan dhe një tjetër ndryshim, i cili i hap rrugë shtetëzimit të këtij sektori. Ervin Bushati kërkoi që organizimi dhe zhvillimi i aktivitetit të lojërave të fatit që mbeten të bëhet nga shteti.
Në seancën plenare të ditës së enjte, mazhoranca do të propozojë edhe rritje të barrës fiskale për kategoritë e lojërave të fatit që mbeten: kazinotë në zonat turistike, hotele apo resorte me 5 yje dhe Lotaria Kombëtare.
Kjo e fundit nuk do të ketë të drejtë të shfrytëzojë hapësirat ligjore për ofrimin e shërbimeve në distancë të llojit të kazinove elektronike online. Ndërsa deputetët votuan edhe ndalimin e reklamës për lojërat e fatit edhe gjatë transmetimit të aktiviteteve sportive.
Në një reagim në Twitter, Kryeministri Edi Rama falenderoi deputetët për mbështetjen ndaj projektligjit për ndalimin e bixhozit. Kreu i qeverisë tha se gjithçka po bëhej për nënat dhe gratë në radhë të parë, por edhe si një mesazh i qartë për krimin e organizuar.
?Faleminderit deputetëve të Komisionit të Ekonomisë e Financave, për mbështetjen me votën sot të projekt-ligjit për ndalimin e bixhozit! Tani në Komisionin e Ligjeve dhe të enjten të gjithë në Kuvend. Për nënat e gratë në radhë të parë. Dhe për një mesazh të qartë krimit të organizuar?, shkroi Rama.