Serbia nuk ka mundësi ta ndaloj formimin e ushtrisë së Kosovës. Por, kjo mund të varet nga NATO. Reagimet në Beograd ishin të ashpra për votimin në Kuvendin e Kosovës. NATO shihet si mbrojtës pavarësisht historisë së hidhur me Serbinë.
Presidenti serb, Alleksandar Vuçiç, gjatë një takimi me përfaqësuesin e departamentit të shtetit, Matthew Palmer, ka thënë se shpreson që SHBA ta kuptojnë qëndrimin serb.
"Ne mund vetëm të lusim që ta kuptojnë se kjo është e dëmshme dhe e rrezikshme për rajonin. Ne duam të ndërtojmë partneritet me SHBA".
Mysafiri nga Uashingtoni tha se SHBA mbështesin dialogun, por edhe formimin e ushtrisë.
"Ne kemi në plan të punojmë afër me partnerët tanë që ta mbështesim këtë tranzicion dhe që kjo të jetë një kontribut për paqen dhe sigurinë në rajon".
Analisti politiko ushtarak, Alleksandar Radic, thotë se e vetmja gjë që mund të ndodh është që zbatimi I ligjeve në Kosovë të ngrihet.
"Edhe pse është paradoksale, Serbia të vetmen shpresë ka NATO-n pasi vetëm nga Brukseli mund të thuhet të ngrihen ligjet për shkak të monopolit mbi sigurinë që ka KFOR-i".
Serbia u ka premtuar qytetarëve të saj se do t'i mbrojë kudo nëse është nevoja dhe shumë herë është folur për luftën. Kjo për analistët është psikologji politike dhe jo strategji reale.
Tv Klan