Prokuroria për Krimet e Rënda dërgoi për gjykim 25 doganierë dhe policë që akuzohen se lejuan 2 kamionë me rreth 10 ton drogë vitin e kaluar përmes Portit të Durrësit. Droga me vlerë 80 mln euro u sekuestrua nga policia italiane në Ankona.
Tashmë organi i akuzës ka mbyllur hetimet për Florenc Tresën, që akuzohet për veprën penale ?Trafikim i narkotikëve? i kryer në bashkëpunim. Tresa ka patur rolin e trafikantit, ndërsa doganierët dhe policit bënë të mundur kalimin e kamionëve në doganë.
25 të arrestuarit janë punonjës të doganave dhe të policive kufitare Qafë Thanës, Durrës dhe të Doganës së Vorës.
"Prokuroria ka mbyllur hetimet edhe për punonjësit e doganave dhe policëve kufitare, Lirim Halili, Syrja Terziu, Çlirim Pepa, Ervin Kodra, Ilias Malja, Ymer Blloshmi, Ilir Spahiu, Maliq Kadilli, Kastriot Topalli, Vladimir Ziu, Elis Deliu, Ylli Vogli, Erald Kulla, Edmond Luzi, Argorn Kapllani, Gëzim Dervishi, Roland Metani, Gentian Selmani, Mehdi Demiri, Mexhit Xhixha, Nezir Bardhoshi, Julian Dorci, Fatmir Plaku dhe Behar Sula".
Këta persona kanë pasur funksione si punonjës doganor të doganave Qafë-Thanë, Vorë, Durrës, si dhe punonjës të policisë kufitare të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë dhe pranë Portit të Durrës, të akuzuar për veprën penale ?Shpërdorim detyre? e kryer në bashkëpunim.
Sipas Prokurorisë, këta persona kanë lejuar kalimin e të paktën 10 tonëve kanabis me kamion drejt Italisë në dy raste. I pari lidhet me kapjen në Ankona, në 5 Shkurt të këtij viti të një kamioni me 8.8 ton kanabis, i futur në Shqipëri nga Maqedonia.
Ndërsa ngarkesa e dytë prej 2.2 ton kanabis u sekuestrua në 24 Mars në Itali. Nga hetimi ka rezultuar se mes punonjësve të policisë dhe doganierëve kishte një formë të organizuar bashkëpunimi për kalimin e automjeteve me drogë nga Shqipëria në Itali.