Vitin e ardhshëm Bashkia e Tiranës do të nisë ndërtimin e Kopshtit të Ri Zoologjik dhe atij Botanik, i cili do ta kthejë këtë zonë në një nga hapësirat më të frekuentuara për familjet e kryeqytetit.
Gjatë një takimi me të vegjlit e qytetit në mjediset aktuale të Kopshtit Zoologjik, me qëllim ndërgjegjësimin dhe edukimin e tyre për mbrojtjen e kafshëve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se në buxhetin e bashkisë do të parashikohet një fond i veçantë për këtë projekt. Projekti parashikon lidhjen e Kopshtit Botanik dhe atij Zoologjik, duke krijuar një hapësirë të vizitueshme, me një sipërfaqe katër herë më të madhe. Ndryshe nga sot, vetëm me një biletë, qytetarët do të kenë mundësi të vizitojnë një shumëllojshmëri speciesh, në mjedise me standarde evropiane kujdestarie.