Tre janë provat shkencore sipas demokratëve që faktojnë sesi prokuroria është kthyer në noter të policisë lidhur me materialet që i janë sjellë nga vartësit e ministrit të Brendshëm për çështjen e audiopërgjimit, ku opozita pretendon se vëllai i Fatmir Xhafajt është përfshirë në trafik droge.
"Verifikimi dhe analizimi i qelizave telefonike të shtetasve Albert Veliu, Agron Xhafaj dhe Fredi Alizoti, për të përcaktuar shkencërisht nëse në orën dhe datën e pretenduar kur është realizuar përgjimi, kanë qenë apo jo në të njëjtin vend, i është deleguar për hetim nga prokurori, pikërisht Fatmir Xhafës. Mostrat e zërit të Agron Xhafës, janë marrë nga eksperti vartës i Fatmir Xhafës, me pajisjet e Fatmir Xhafës. Drejtuesi i prokurorisë ka gritur një grup hetimor, por prokurorët në përbërje të tij i ka caktuar pa short", thotë Gazmend Bardhi.
Demokratët thonë se Kryeministri ka krijuar një shtet privat duke e vënë edhe Prokurorinë në mbështetje të krimit dhe se i arrestuari për çështjen e Babales, Fredi Alizoti është aktor i paguar nga Kryeministri.
"Zyrtarisht, Prokuroria e shtetit, institucioni që ka për detyrë të luftojë krimin dhe korrupsionin, është shndërruar në një celulë kriminale të fabrikimit të provave dhe dëshmitarëve", shprehet deputeti Enkelejd Alibeaj.
Sipas opozitës, vendi ka hyrë në një diktaturë mafioze, ku krimi i organizuar ka vënë nën kontroll edhe drejtësinë.