Dy vite më parë, Bashkia e Tiranës krijoi bërthamën e vullnetarëve të saj, kurse sot rrjetit i janë bashkuar qindra të rinj, të cilët angazhohen në organizimin dhe mbarëvatjen e shumë aktiviteteve sportive, kulturore, si Maratona e Tiranës, Tirana Art Fest apo ditët e pastrimit të qytetit.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj shpërndau certifikatat e mirënjohjes për 10 të rinj vullnetarë, mjekë dhe infermierë, të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre për kujdes shëndetësor dhe ndihmën e parë në zonën e Parkut të Liqenit Artificial gjatë verës, por edhe për kontributin e tyre në zhvillimin e mbarëvajtjen e Maratonës së Tiranës.
Ai i falenderoi ata për kontributin e vyer që dhanë sidomos në ditën e zhvillimit të Maratonës së Tiranës, duke ndihmuar me lehtësimin e trafikut, lëvizjeve të qytetarëve, orientimit të sportistëve të huaj, apo edhe me ndihmën e shpejtë për ata që kanë pasur nevojë. Atë ditë vullnetarët ishin përqendruar në shumë pika shërbimi përgjatë itinerarit të maratonës.